Veç liqenit të Pogradecit, i cili ngelet i preferuar për të gjithë ata që parapëlqejnë ujërat e ëmbla, Pogradeci fsheh brenda vetes edhe shumë fshatra të tjerë turistikë, në të shumtën e rasteve jo pak të njohur, por mjafton t'i vizitosh njëherë e do të rikthehesh sërish tek ta.

Lini është një fshat i vogël, por me një bukuri të rrallë: me shtëpi të vogla të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një mali a kodre jo fort të lartë, me rrugica të vogla e të ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë.

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla.

Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor, ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës.

Gojedhënat tregojnë që, dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.

Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Cesarit, mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë sa bërtitën "Lyhnidas", që do të thotë "Liqeni i Dritës".

Ndërsa vetë banorët shprehen se, dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin "Lindi fshati" dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës "Lindi".

Tani mbas 2000 vjetësh, turistët vendas e të huaj vijnë për të vizituar këtë fshat mahnitës dhe pamjen mbresëlënëse që të ofron. Ata vijnë këtu jo vetëm për të parë mozaikët e Linit, por gjithashtu për të vizituar varret monumentale të Selcës, të cilat të impresionojnë me madhështinë e tyre.

Në Lin ka disa plazhe të këndshëm me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël. Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur "Mulliri i Vjetër", me burime gurgulluese dhe hije pemësh.

Lini është vërtet një fshat i vogël, por sa herë ta vizitosh të fal një kënaqësi të madhe.