Rigoni është një barishte aromatike plot shije që përdoret në kulinarinë Mesdhetare, por rigoni i kuq është me famë si rigoni më i rrallë dhe me aftësi të mrekullueshme. Rigoni i kuq i jep nuanca të shijshme çdo gatimi, ai përputhet mirë me domaten, patëllxhanin dhe produktet e mishit. Mund të hidhni pak rigon në vezët e rrahura ose sallatë dhe të përfitoni një shije tjetër. Rigoni i kuq rritet në zonat malore të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Greqinë Veriore dhe në disa zona të Malit të Zi. Karakteristika e veçantë e tij është se gjatë tharjes, ai humbet të gjithë aromën. Por kur bie në kontakt me ujin e nxehtë, aroma që lëshon është unike dhe nuk ka të krahasuar me rigonin e zakonshëm. Përveç rritjes në zonat e largëta, fermerët shqiptarë tani kanë nisur të kultivojnë rigonin e kuq duke krijuar një habitat të ngjashëm për të ndihmuar në rritjen e tij. Kërkesat për eksport janë në rritje dhe fermerët nga Shqipëria dhe nga Kosova janë tejet të përkushtuar për të rritur rigonin e kuq. Rezultatet fillestare janë optimiste.  Rigoni i kuq dhe rigoni i zakonshëm janë të dy burime të pasura të vitaminës K, që është shumë e rëndësishme për organizmin. A e dinit se, rigoni ka vlera antibakteriale? Rigoni përmban dy vajra esencialë që kanë aftësinë të luftojnë bakteret dhe në shumë raste janë më efikasë se vetë medikamentet. Rigoni përmban thimol dhe një acid të quajtur rozmarinik, por tek rigoni i kuq përmbajtja e këtyre dy substancave është edhe më e lartë. Të dy shërbejnë si antioksidantë. Studimet kanë treguar që në një gram rigon gjenden 42 herë më shumë antioksidantë se në një gram mollë, 30 herë më shumë antioksidantë se në një gram patate, 12 herë më shumë se në një gram portokalle dhe 4 herë më shumë se boronicat. Të dy varietetet e rigonit janë të pasur me hekur, mangan dhe minerale të tjera të rëndësishme për shëndetin e njeriut. Rigoni është një nga barishtet më të shëndetshme dhe më të shijshme që mund të provosh. Rigoni është i pasur në fibër, po aq sa çikorja. Rigoni është një burim natyral i acideve yndyrore Omega-3. Rigoni përmban një listë substancash që parandalojnë sëmundjet dhe promovojnë shëndetin e mirë. Kjo barishte nuk ka kolesterol por është burim i pasur fibrash që ndihmon në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit. Gjethet dhe kërcelli janë antiseptikë, ndihmojnë me sekrecionet e tëmthit dhe rrisin prodhimin e djersës. Pijet ose çajrat e rigonit ndihmojnë kundër të ftohtit, virozës, temperaturës, mungesës së tretjes, problemeve në stomak ose simptomave menstruale. Barishtja e rigonit të kuq është e pasur me flavonoidë antioksidantë (vitaminë A, karoten, luteinë, zeaksanthinë dhe kriptoksanthinë) dhe renditet mes bimëve më të pasura me antioksidantë. Këta të fundit luftojnë radikalet e lira që përshpejtojnë shfaqjen e një sërë sëmundjesh dhe plakjen e parakohshme. Substancat dominuese të rigonit përmirësojnë lëvizjen e zorrëve dhe fuqitë tretëse të të gjithë sistemit por edhe e mbrojnë atë nga sulmet e baktereve dhe mykut. Ju mund të shfrytëzoni vlerat e rigonit të kuq duke e përzier me vajin e ullirit. Ju nevojiten gjysëm litri vaj të mirë ekstra i virgjër ulliri dhe 5 degë rigon të freskët ose akoma më mirë rigon të kuq. Shtojini degët në vaj dhe lërini të qëndrojnë së bashku për shtatë ditë. Nëse dëshironi mund t’i hiqni përpara se të ruani vajin. Ky vaj është fantastik për përgatitjen e picave, sallatave dhe gatimeve të tjera që kërkojnë vaj ulliri./AgroWeb.org