Gorrica bën pjesë në gjininë Pyrus L. e cila përmbledh më se 45 specje: të kultivura, bimë spontane në forme shkuresh ose pemë të larta dhe bimë zbukuruese. Në Shqiperi  gjënden 3 specie gorricash: dardhulka P. pyreaster Burgst., gorica P. amigdalioformis Ëill., dardha gjethehunap P. elaeagrifolia Pallas. Të tria këto populli i përmbledh në emërtimin “gorricë” ose “dardhukël”

Dëshmitë arkeologjike tregojnë se gorricat janë shfrytëzuar nga njerëzit që në periudhën Neolitike e në vazhdim, gjatë dhe para se të kultivoheshin dardhët . Në Shqipëri gorricat  gjenden si pemë të larta 8-20 m. ose shkurre si drizërishte dhe buzë pyjeve të dominuara nga lisi, ahu, gështenja, etj. Gjithashtu gjendeshin edhe në ledhet e arave ose në fushë të mbrojtura nga bujqit. Sipas praktikave tradicionale bujqësore shqiptare, gorricat janë shfrytëzuar kryesisht si dru zjarri por, në disa rraste janë lënë të rriten në ledhet e arave ose fushave për të marrë frutat e tyre ose shartoheshin me dardhë. Kjo praktike zbatohej deri në mesin e shekullit që kaloi. Me zhvillimin e bujqësisë moderne, rritjes së shkallës së mekanizimit dhe kolektivizimit të bujqësisë, kjo praktikë u nënvleftësua dhe pothuajse u zhduk. Gjithashtu me shpejtësi po zhduken dhe gorricat spontane duke i prerë ose keq administruar.

Gorricat si frut në gjuhën e përditëshme të popullit janë nënçmuar, përshkruhen si fruta pa vlerë ose me vlera mininimale.Nga shqiptarët janë shfrytëzuar për një kohë të gjatë si ushqim për njerëzit, kur piqen, në ngrënie kanë një shije të veçatë shpesh aromatike . Në kohëra luftrash dhe të vështira gorricat ishin një ushqim që i mbanin frymën gjallë njeriut. Mblidheshin dhe piqeshin gjatë ruajtjes ose i vendosnin dhe në shtresa kashte për t’i ruajtur më gjatë. Frutat e gorricës futen në kategorinë e ushqimeve bio.

Gjethet e goricave shërbejnë gjithashtu si ushqim për bagëtinë. Është një bimë mjaltëse nga më të mirat për bletët. Gorrica është dhe një suportuese e mirë ose mbështetje për ushqimin e kafshëve të egra. Me lëvoren e degëve përfitohet një bojë me ngjyrë të murme për të ngjyrosur rrobet e leshta.

Druri goricës është një dru relativisht i fortë dhe përdoret për të bërë vegla që kërkojnë një fortësi si instrumentat muzikorë. Punohet lehtë dhe merr shkëlqim të mirë. Gorica prodhon qymyr druri cilësor si dhe digjet mirë në zjarr. Gorrica ka gjëmba në degët e saj dhe është përdorur edhe për rrethimin e kopshteve apo arave për t’i mbrojtur nga dëmtimet e kafshëve.

Bima e goricës është përcaktuar si “bimë e të ardhmes”. Në mjekësinë popullore është përdorur për të trajtuar ulçerat, problemet në zorrët, për të provokuar vjellje. Nga rrënjët përgatitet një ilaç për dhimbjet e barkut. Një lëng që pergatitet nga goricat e ziera ndihmon për uljen e diabetit.

Gorica sot përdoret gjërësisht si nënshartesa për fidanat e dardhës pasi bimët e dardhës me këtë nënshartesë rezultojnë të kenë qëndrushmëri e përshtataten mirë në tokat e varfëra e të thata si dhe kanë një jetë më të gjatë. Në Shqipëri kjo është shfrytëzuar që nga vitet 1930 kur edhe filloi organizimi fidanishteve. Ndërsa shartimi në goricat spontane(in situ) është një praktikë shumë e lashtë e shqiptarëve e cila po kryhet edhe sot.

Gorricat janë bimë me kërkesa të moderuara ndaj kushteve tokësore, klimës, lëndëve ushqimore dhe kërkesave për lagështi. Në Shqipëri dhe më gjerë në Evropë, është (native) vendase, pjesë e florës spontane e cila ka treguar se i mbijeton kushteve të ndryshme e të vështira mjedisore. Mbjellja e llojeve të zgjedhura e të përshtatshme në parqet, rrugët, rreth shtëpive, gjelbërimin e vendeve të thyera e të thata, kurorave rreth qendrave të banuara me këtë bimë, është objekt studimi dhe në vëmendjen e organizmave zhvillimore të kohës në këto drejtime.

Etimologji, onomastikë

Në gjuhën e njësuar shqipe gorrica quhet “dardhukël” e cila është një formë dialektore. Tek arbëreshët e italisë gorrica quhet “garriç”, që të kujtojn gjëmbaçët. Gorrica karakterizohet nga prania e gjëmbave në degët e saj. Kush ka ngrënë gorrica duke hipur në të, e ka provuar se gjëmbat e saj si grremça të gërvishin apo të grisin .

Fjala “gorricë” sipas gjuhëtarëve rrjedh nga gjuha bullgare “gor’nica” por, nuk e gjejmë të përdoret sot në këtë gjuhë. Gjendet me emrin diva krusha(дива круша). Duhet thënë se gorrica në Shqipëri ështe e njohur dhe kultivuar të paktën 4000-7000 vjet më parë, madje thuhet se paraardhësit e shqiptarëve mund të kenë kontributin e tyre në selektimin ose krijimin e dardhëve nga gorrica.

Në Shqipëri fjala “Gorrica” gjëndet dhe si mbiemër për shumë familje. Toponimet “Gorrica” janë gjithashtu të shumta në Trojet Shqiptare. Kodrat gëlqerore në këmbe të malit të Tomorit në luginën e lumit Devoll, banorët historikisht i kanë quajtur “Gorricat”, emërtime të veçanta janë “Gorricat e Çalës”, “Gorricat e Çobanit”, etj.(2) Kjo vërteton më së miri atë që thuhet nga studjuesit dhe historianët se kodra të tëra në lashtësi në këto teritore kanë qenë të veshura me gorrica. Janë edhe 4 fshatra që mbajnë emrin ose rrjedhin nga emri “gorricë”; në Gjirokastër, Korçë dhe Përmet. Gjithashtu toponimi “Gorricë” gjëndet në shumë vende të tjera të Evropës Qëndrore e Jugore, tek arvanitasit dhe arbëreshet.

Veçoritë botanike dhe biologjike

Të tria llojet e goricave që gjënden në Shqipëri zakonisht janë në formë shkurreje ose pemë me një kurorë 8-20 m e lartë. Ka të dhëna se jeton deri në 300 vjet ose dhe më shumë. Gjëndet në lartësitë deri në 1300 m nga niveli detit. Duron tempertaturat e ftohta deri në – 30o C. Zakonisht ka nje trung të drejtë. Kur shkon drejt fundit të jetës zgavërohet ose bëhet “kufall” thuhet nga populli. Gjethet janë jo më shumë se 1,5 herë të gjata se gjerësia e tyre, të rrumbullakëta në bazë dhe eliptike tek maja. Gorica gjethet nga poshtë i ka me qime të përhimta.

Lulet i ka hermafrodite por pllenimi bëhet i kryqëzuar nga bletët dhe insektet e tjera pllenuese. Përbëhet zakonisht nga 5 petla të bardha. Lulëzon gjatë muajve prill- maj. Fruti i rrumbullakët me diametër 2-3 cm. Pjekja e frutave fillon nga fundi i muait qershor ose në fillim korrikut deri në vjeshtë.

Veçoritë Agroteknike

Gorica eshtë nje bimë dielldashëse por toleron dhe hije të lehta. Rritet në çfardo tokash deri të rënda argjilore, por proferon toka të lehta, të lagëta e pjellore. Parapëlqen toka me PH neutral e pak bazike.

Tradicionalisht nga bujqit në Shqipëri gorrica nëpër ledhet e arave është shtuar nga mbirjet spontane duke u kujdesur për to ose, duke i trapiantuar në vendet e dëshiruara. Shtohet me farë e cila kërkon 8-10 javë shtresim ne temp 1oC. pastaj ne temp. 15-20oC. Zakonisht mbjellja në farishte bëhet ne vjeshtë dhe në vijë të fidanishtes në fillim të pranverës. Fidani i gatshëm për mbjellje për 2-3 vjet dhe frutifikon pas 4-5 vjete të mbjelljes në vendin e përhershëm. Gjat rritjes merren masa për ta ruajtur nga dëmtimet nga kafshët si dhe bëhen krasirje formuese dhe per ajrosje të kurorës./bionews/