Shefi i diplomacisë turke vlerësoi marrëdhëniet Ankara-Bruksel përmes një artikulli të publikuar në prestigjiozen ndërkombëtare “Politico”, me seli në Virgjinia të SHBA-së, nën titullin: “Të rikthejmë në binarë anëtarësimin e Turqisë në BE”

Çavusoglu për “Politico”: Të rikthejmë në binarë anëtarësimin e Turqisë në BE

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i bëri thirrje Bashkimit Evropian për të rivendosur anëtarësimin e vendit të tij sërish në rrugën e duhur.

Çavusoglu vlerësoi marrëdhëniet Turqi-BE përmes një artikulli të publikuar të martën në prestigjiozen ndërkombëtare “Politico”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën titullin: “Të rikthejmë në binarë anëtarësimin e Turqisë në BE

Ai theksoi se marrëdhëniet Ankara-Bruksel janë duke shfaqur sërish një imazh të dëshpëruar.

Megjithatë – vijoi kryediplomati turk – unë jam plotësisht i bindur se ne mund të biem dakord me miqtë tanë evropianë për të rivendosur procesin në rrugën e tij.

“Le të mos presim edhe 30 vjet të tjera”, u shpreh Çavusoglu duke nënvizuar se Turqia ka nevojë për BE-në të paktën po aq sa edhe BE-ja për Turqinë.

Sipas tij, pikat kryesore të kthesës në historinë e kohëve të fundit – sidomos sulmet e 11 shtatorit (2001) në SHBA, Pranvera Arabe, kriza financiare globale dhe kriza e refugjatëve – kanë provuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë strategjike të marrëdhënieve Turqi-BE.

Për më tepër – shtoi ai – çështjet ekonomike, politike, të sigurisë dhe të identitetit kanë treguar se Turqia është më shumë se një shtet partner strategjik për Bashkimin Evropian.

“Unë besoj se nëse Turqia do të ishte tashmë anëtare e BE-së, ne do të ishim më të aftë dhe më kompetentë për të trajtuar kolektivisht sfidat e rendit botëror shumë të paqëndrueshëm të sotëm. Prandaj le të mos presim edhe 30 vjet të tjera”, potencoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Çavusoglu tërhoqi vëmendjen se mbi të gjitha duhet të rifillojnë bisedimet e anëtarësimit, të cilat do të trajtësonin shtyllën kurrizore të marrëdhënieve Turqi-BE.

“Ne gjithashtu duhet të fillojmë negociatat për të përditësuar Unionin Doganor, i cili është në të mirën e të gjithëve. Pas përmbushjes së gjashtë kritereve të mbetura të përcaktuara në dialogun e liberalizimit të vizave, udhëtimi pa viza duhet të jepet për qytetarët turq. Ky hap nuk do të kontribuonte vetëm në biznes dhe në punësim, por njëherësh do të vazhdonte edhe më tej dialogun ndërmjet njerëzve”, tha kryediplomati turk mes të tjerash.