Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli dje Javën e veprimtarive kulturore që do të zhvillohen në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Drejtoresha Persida Asllani shprehu ministres së Kulturës, Elva Margariti, nevojën për një bashkëpunim sa më të koordinuar ndërinstitucional në mbështetje të Bibliotekës Kombëtare, por edhe të rrjetit të bibliotekave në vend, si hapësirat më cilësore të dijes, të informimit, të leximit të letërsisë dhe zhvillimit shpirtëror, mendor e estetik të qytetarëve. Gjatë bashkëbisedimit me specialistët e bibliotekës Margariti, theksoi  vëmendjen e veçantë jo vetëm institucionale por edhe personale “për një zgjidhje afatgjatë e cilësore të situatës në të cilën gjendet Biblioteka Kombëtare aktualisht”, si dhe premtoi “krijimin e Agjencisë Kombëtare të ISSN-së pranë Bibliotekës Kombëtare”. Krijimi i Agjencisë Kombëtare të ISSN-në, e cila do të pajisë me numrin ISSN, të gjitha botimet periodike si: gazeta, revista, – përfshirë edhe ato shkencore, – në format të shtypur ose në formë elektronik, si një domosdoshmëri në fushën e botimeve do të ndihmonte jo vetëm bibliotekat në kryerjen e përshkrimin bibliografik të periodikut sipas standardeve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e të dhënave në rrjetet globale të informacionit por edhe botuesit për tregtimin më të mirë të botimeve të tyre brenda apo jashtë vendit si dhe botën akademike – shkencore në përpjekjet integruese euro-atlantike të botimeve të tyre kërkimore e shkencore.