TIRANË (AA) - Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur në Tiranë protestën e radhës antiqeveritare, ndërsa është përfshirë nga tensionet dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mbështetësit e opozitës janë bashkuar fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar në drejtim të selisë së Kryeministrisë, ndërsa në drejtim të forcave të policisë kanë hedhur tymuese dhe sende të tjera, si dhe kanë çarë në disa raste edhe kordonin policor. Protestës së opozitës gjatë ditës së sotme i janë bashkuar edhe një grup fermerësh, të cilët kanë hedhur produktet e tyre në bulevard përpara selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, e cila u sulmua me bojë dhe sende të tjera nga protestuesit.