Administrata tatimore do të instalojë mbi kasat e bizneseve një sistem të ri teknologjik, që do të transmetojë në kohë reale çdo transaksion në serverin qëndror të Tatimeve.

Ministria e Financave ka hapur tenderin me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë (15 mln euro), për të kontraktuar kompaninë që do të instalojë sistemin.

Bizneset nuk do të kenë nevojë të blejnë kasa të reja, pasi sistemi do të instalohet në ato aktualet dhe do të jetë pa pagesë.

Sistemi aktual kompjuterik që përdorin Tatimet funksionon mbi bazë ditore. Çdo biznes, kur mbyll aktivitetin në fund të ditës, nxjerr manualisht xhiron ditore dhe e dërgon atë në serverin e Tatimeve.

Financat thonë se me sitemin e ri, transmetimi i të dhënave për shitjet dhe blerjet e biznesit do të kryhet automakisht në kohë reale dhe jo një herë në ditë.

Sistemi ri paraqitet si zgjidhje për uljen e kostove të administratës dhe për mbylljen e shtigjeve për evazion. Sipas Ministrisë së Financave, sistemi i ri do të sjellë përfitime edhe për biznesin.

Sistemi aktual i Tatimeve është instaluar fillimisht në vitin 2010, por ka rezultuar problematik. Qeveria shpenzoi në vitin 2015 gjashtëmbëdhjetë milionë euro për modernizimin e sistemit, por problemet sërish nuk gjetën zgjidhje.

Madje edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e ka pranuar se sistemi ka probleme në transmetimin dhe raportimin e të dhënave, por sipas Ministrisë së Financave, ato do të zgjidhen përfundimisht me ndërhyrjen e re.

Mendohet se në Shqipëri ka aktualisht 160 mijë kasa që përdoren nga bizneset.  /dita