Afati i plotësimit të formularit A2 ka përfunduar ditën e shtunë më datë 4 gusht, në orën 8 të mbrëmjes, ndërsa ministria e Arsimit ka thënë se numri i aplikantëve që kanë plotësuar formularin e preferencave është 24.287 kandidatë.

Përzgjedhja e degëve preferenciale në publik është 88.88% ndërsa në privat është 11.12%. Pra, studentët kanë preferuar të vijojnë studimet në universitetet publike.

Ndërkohë shpallja e fituesve të parë do të bëhet më datë 30 gusht, kur do të nisin edhe regjistrimet për fazën e parë. Sipas rregullores së maturës edhe këtë vit matura do të ketë 7 faza me nga 48 orë secila, ndërsa në përfundim të çdo 48 orëshi do të ketë 1 ditë afat për tu ç’regjistruar dhe për të riaplikuar në degë të tjera sipas pikëve të secilit.

Në vend numërohen 37 universitete, nga të cilat 12 publike dhe 25 private. Por, jo të gjitha universitet i kanë pranimet njësoj, disa zhvillojnë konkurse për pranimet e reja, siç është Akademia e Arteve apo Fakulteti i Sporteve.

Sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit, konkurset do të zhvillohen në datat 11-27 gusht. /a.t.a.