Qyteti i një mbi një dritareve, jep 1001 arsye për të qënë aty. Turizmi kulturor ka një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik të Beratit. Prani objektesh, të cilat i përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, tek Mesjeta Bizantine, te komplekset otomane dhe deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit. Berati ruan gjurmët e kulturave dhe religjoneve të ndryshme, objektet e të cilave gjenden fare pranë njëra-tjetrës, nga islami helvetizmi te kristianizmi apo te legjenda se aty është varrosur një profet hebre. Të gjitha këto, ja vendosën emrin MultiKulturor, festivalit që po bëhet traditë. Berati i larmishëm, për një audiencë po aq të larmishme sa edhe synon, turistë nga të gjitha anët e botës. “Festivali MultiKulturor Berat” vazhdon rrugëtimin në datat 19/20/21 korrik 2018 në Edicionin e tij të V, me arte pamore, trashëgimi kulturore dhe muzikë nga tabani folkloristik shqiptar.
Një nga pasuritë kryesore të Shqipërisë, është pikërisht folklori muzikor.

Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. Një pjesë të kësaj pasurie, prej të dyja anëve të Shkumbinit, do të presë Berati shumë-shekullor në datat 19, 20 dhe 21 korrik, një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën e rrallë shqiptare, për ta përmbyllur në një mbrëmje atmosferike, në tingujt e muzikës së Shpat Dedës.

Gjithçka fillon me komunikimin për shtyp të Festivali MultiKulturor Berat në mjediset e Muzeut Etnografik, që përkon edhe me anuncimin për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga shteti Austriak, me praninë e kreut të misionit diplomatik të Austrisë në Shqipëri, si bashkudhëtarë të Festivalit MultiKulturor Berat. Vijohet me një performancë artistike nga një bend muzikantesh austriake. Në orën 21:00 nga mjedisi i Muzeut Etnografik, bëhet përcjellja e nuses beratase për ta pritur krushqit e sazet përmetare, në një inskenim me muzikë dhe rituale prej dasme shqiptare, për të vazhduar në shesh me Pleqtë e Krujës dhe Asamblin Popullor të Beratit. Tri ditë e kryesisht net, me axhendë të ngjeshur artistike, presin të pranishmit, vendas, vizitorë të Festivalit, turistë e të ftuar special. Mbrëmja e dytë kushtuar mërgimit, vjen emocionuese nga grupi i Himarës dhe nga ai i Gjirokastër, për të vazhduar me grupin e Fierit në përmbyllje të mbrëmjes. Në përmbyllje të këtij edicioni vjen më datë 21 korrik, nata e “atdheut” me muzikën baritore të Fyejve të Gramshit dhe iso polifonike nga grupi i Gjirokastrës. Në një mbrëmje atmosferike në oborrin e Teqesë Helvetive, nën tingujt e muzikës së përzgjedhur të Shpat Dedës, ky edicion i V-të, do të mbyllë harmonikisht siparin e aktiviteteve, për të rinovuar takimin me publikun për vitin e ardhshëm.  /GSH.