Lot në finalen e Kievit dhe pikëllim në humbjen me Urugain në ndeshjen e parë të Botërorit!

Jeta e Mohamed Salah duket se mori të tatëpjetën pas atij sezoni fantastik me Liverpulin, por janë tifozët ata që i japin kuptim futbollit dhe sot e kanë ndryshuar edhe gjendjen e trishtë të egjiptianit në tre javët e fundit.

Salah ka festuar ditëlindjen e tij të 26-të në Çeçeni, aty ku është akomoduar kombëtarja e Egjiptit dhe tifozët e Grozny e kanë surprizuar atë me një tortë gjigande, që sipas RT peshon 100 kg.

Në krye të tortës qëndron ‘këpuca e artë’, të cilën Salah e fitoi duke shënuar 45 gola në gjithë sezonin me Liverpulin.

Në videot që qarkullojnë në rrjet, ylli egjiptian shihet duke buzëqeshur teksa fik qirinjtë mbi tortën e veshur në ar dhe të zbukuruar me ngjyrat e kombëtares së tij.

Bashkëkombasit dhe tifozët i kënduan “Happy Birthday” në anglisht dhe arabisht në hollin e hotelit.  /Shqip.