Samiti i G7-s në Kanada dështoi sa i takon zgjidhjes së diferencave të thella mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderëve të kombeve të tjera të industrializuara.

Ndasitë e tyre, sidomos në tregti, u panë qartë, megjithëse Trump foli në konferencën e tij përmbyllëse për një samit shumë produktiv.

“Mendoj se patëm shumë sukses. Mbyllëm një samit shumë të suksesshëm të G7. Çështja kryesore që u diskutua ishte tregtia, një temë shumë e rëndësishme, sepse SHBA është shfrytëzuar për dekada dhe s’mund ta pranojmë më këtë. Zhvilluam diskutime serioze mbi nevojën për të pasur tregti të ndershme dhe reciproke, pra të barabartë. Pa tarifa dhe pa barriera. Kështu duhet të jetë dhe unë këtë propozova”, u shpreh ai.

Të zemëruar nga tarifat e reja amerikane, të gjithë pjesëmarrësit në takim e kundërshtuan pikëpamjen amerikane jo vetëm ndaj tregtisë, por edhe për çështje të tjera të nxehta si klima, raportet me Iranin dhe konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Analistët thonë se ashtu siç pritej, samiti nuk solli asnjë zgjidhje në mosmarrëveshjet mes aleatëve, dhe fakti që Trump u largua më herët, duke braktisur pjesën e bisedimeve për klimën, e nënvizon qartë këtë.

Trump u largua duke u justifikuar me takimin që do të realizojë në Singapor me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.  /dita