Fjalët e Kristiano Ronaldos kanë shkundur ambientin e Real Madridit.

Portugezi që ka folur në kohën e shkuar për eksperiencën e tij në Madrid, duket se është gati për lamtumirën. Janë hapur skenarë që askush nuk i hamendësonte pak orë përpara vërshëllimës së fundit në finalen e Champions League. Paris Sën Zhërmeni dhe Mançester Junajtid duket se janë dy ekipet e vetme në gjendje që mund t’i lejojnë vetes të paguajnë portugezin, por nuk përjashtohet mundësia që kjo shfryrje të jetë bërë qëllimisht nga sulmuesi për t’i shkëputur Realit rinovimin e radhës.

Le ta qartësojmë. ‘CR7’ ka një kontratë me Realin deri në vitin 2021 për 21 milionë euro në sezon.

Por pavarësisht pagës stratosferike, Ronaldo nuk është më i paguari dhe mundet ndjeshëm nga Mesi e Nejmar, ndaj duket se kjo gjë portugezit nuk i pëlqen aspak.

Fituesi i 4 Champions League me fanellën e Realit dëshiron një rritje të mirë të pagës, ndaj kjo duket se është mënyra e duhur për të trokitur në derën e Florentino Perezit, me këtë të fundit që në këtë betejë, duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet. “Klubi vjen para së gjithash”, ka thënë presidenti pas finales së Kievit.

Ndaj, ja përse rrugët e Kristiano Ronaldos dhe Real Madridit mund të ndahen përfundimisht. Fenomeni portugez ka një klauzolë prej 1 miliard eurosh në kontratë, por vlera e tij në merkato është shumë më e ulët, duke parë 33 vitet mbi shpatulla. ‘CR7’ vlen rreth 120 milionë euro dhe ai që e do, duhet të ulet të bisedojë në tavolinë me “Los Blancos”.

Siç e thamë, pak skuadra mund t’ia lejojnë vetes këtë shpenzim, PSG ose Mançester Junajtid janë të vetmet. Parizienët mund të synojnë numrin 7 të Realit, duke sakrifikuar Nejmarin në emër të ‘fair-play’-t financiar.

Por, në ‘pole-position’ duket se është Junajtid, që ka para me bollëk për të shpenzuar dhe që Ronaldon nuk e ka harruar kurrë, ndërsa vetë portugezi asnjëherë nuk ia ka mbyllur derën rikthimit të mundshëm në “Old Traford”, aty ku do të rigjente Murinjon për një tjetër sfidë të bukur: të rikthejnë Junajtidin në majë të Europës.  /GSH.