Plazhit të Jalit, rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Vuno, me shëtitoren e tij të rë, i eshte kthyer shkëlqimi i humbur për vite të tëra.

 

Plazhi i Jalit është nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peizazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta.

Famën dhe emrin plazhi i Jalit e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve ’70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.

Bukuria e gjirit do t’ju bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur fotografi. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit të realizuara nga maja e kodrës.