Maqedonia dhe Greqia kanë rënë dakord për çështjen e emrit, duke i dhënë kështu fund dialogut të tejzgjatur.

Varianti i pranuar nga të dyja palët është “Republika Ilindenase e Maqedonisë”.

Arritja e kompromisit u arrit pas takimit të Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe homologut të tij grek Aleksis Cipras në Samitin e Sofjes.

Shefi i qeverisë maqedonase mblodhi këtë të shtunë Presidentin e vendit Gjorge Ivanov, Kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe krerët e partive kryesore politike, për t’u komunikuar marrëveshjen e arritur me Athinën.

“Me këtë zgjidhje të mundshme ruajmë dinjitetin, konfirmojmë e përforcojmë identitetin tonë maqedonas. Ilindeni është garanci për një Maqedoni multietnike,” tha Zoran Zaev.

Kryeministri sqaroi se varianti i pranuar do të përdoret ndërkombëtarisht.

Edhe kryeministri Aleksis Cipras informoi aktorët politikë në Greqi për arritjen e marrëveshjes, por opozita greke e kundërshtoi akordin duke thënë se përfshirja e emrit të Ilindenit nuk i jep fund mosmarrëveshjeve Athinë-Shkup.  s.a/dita