Ajo ka koleksionin më të pasur në botë dhe më të plotë mbi figurën e heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Patricia Nugee (Patrisia Nuzh), britanikja 91 vjeçare, ka ende shumë energji për ta çuar këtë koleksion nga një shtet në tjetrin me qëllimin që e gjithë bota të njihet me historinë e tij.

“I kam mbledhur shumë-shumë ngadalë librat, sepse disa prej tyre janë shumë të shtrenjtë. Nisa 30 vite më parë t’i blija. I kam mbledhur në vende të ndryshme: në Romë, Madrid dhe Londër nëpër ankande. Në ç’kushte i kam ruajtur? I kam trajtuar me shume respekt”, tregon Patricia Nugee, koleksioniste.

37 librat e saj unike, botime të shekullit të XV, prezantohen për herë të parë për publikun shqiptar ne hollin e MHK. Nëntë prej tyre janë përkthime të veprës së Marin Barletit në anglisht, italisht, gjermanisht e shumë gjuhë të tjera.

“Askush nuk më mësoi kush ishte Skënderbeu. Unë kam lexuar për të dhe kuptova që ishte një figurë shumë e rëndësishme në shekullin e XV. Mendoj se po te kishte jetuar me gjatë e gjithë Europa sot do të ishte ndryshe”, thotë ajo.

“Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm ne besojmë se Muzeu Historik Kombëtar dhe Ministria e Kulturës do t’i propozojnë presidences për ta dekoruar me titullin më të lartë: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sepse ajo ka veprat, koleksionin më të mirë të Gjergj Kastriotit dhe kjo do të ishte një nga gjërat më të çmuara që ne do të mund të bënim ndaj kësaj koleksionisteje kaq të apasionuar për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarët”, tha Dorian Koci, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.  /Top Channel