Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo e quajtur e Inglizit. Gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste. “Inglez” është shqiptimi që dukatasit e asaj kohe i bënë fjalës “Anglez”, dhe prej asaj kohe shpella mban këtë emër. Ato kohë, burrat e krahinës, afroheshin tek kjo guvë e zezë për të rrëmbyer ndonjë rrobë, apo ushqim. Më shumë merrnin plasmas, që e bënin çobanët pelerinë për shi, apo një lloj sheqeri të verdhë, shumë të shijshëm, që tek ne nuk njihej deri në atë kohë.

 

 

Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh.  Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë, i cili kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij. Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj. Pasi u vra nga venecianët Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan. Por varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë. Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mesdhe. Thanasi, një prej burrave më të moshuar të zonës, tregon se legjenda e kishe zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij.